Në dekadën e fundit Grupi KOHA, krahas veprimtarisë së vet primare, ka krijuar një traditë edhe në organizimin e koncerteve të mëdha në shënim të përvjetorëve të ndryshëm të kompanisë, mirëpo edhe në raste të tjera.

Prej kohësh ka qenë ambicie të krijojmë një format koncerti si ky. “Sopranot” ishte ide e natyrshme dhe e përbashkët e ekipit dhe drejtoreshës së KOHË-s, Flaka Surroi. Kosova ka dëshmuar të ketë potencial dhe shumë talente në fushën e muzikës, përfshirë edhe atë klasike. Viteve të fundit janë sopranot e Kosovës ato që kanë depërtuar në skenat botërore.

Në botë ka shumë formate koncertesh, mirëpo jo edhe një që mbledh në një vend sopranot, siç ekziston p.sh. formati i famshëm i treshes së tenorëve. Kemi menduar që me një orkestër simfonike, të formuar për këtë 20-vjetor, të prezantojmë kësaj radhe 4 nga sopranot e dalluara të vendit, nga një numër më i madh solistesh që Kosova. Ky është vetëm fillimi dhe të tjerat do të përfshihen në edicionet e radhës të këtij formati. Këtë herë Marigona Qerkezi e Arta Jashari, e para me karrierë tashmë tejet të suksesshme nga Muskati, Milano e Madridi, dhe e dyta me perfeksionimin që është duke bërë në shkollën më në zë të Berlinit, si dhe dy sopranot Adelina Paloja dhe Zana Abazi-Ramadani, që tash e sa vjet e kanë dëshmuar veten me profesionalizimin dhe paraqitjet e suksesshme në Prishtinë, Tiranë e Shkup, do jetë një kombinim, i cili do t’i bëjë shikuesit të mbajnë gjatë në mend këtë gala sopranosh.

Mysafir i mbrëmjes do të jetë violinisti Elvin Hoxha – Ganiyev, i cili është duke bërë karrierë në sallat më në zë nga Ankaraja e deri në New-York. Violinisti 20-vjeçar me origjinë shqiptare vjen për herë parë përpara publikut tonë, pikërisht në 20-vjetorin e “Kohës Ditore”.

Koncerti do të dirigjohet nga Baki Jashari, një emër me shumë përvojë në muzikën klasike në Kosovë, Slloveni e më gjerë, dhe nga dirigjenti i ri, por me një të ardhme të sigurt suksesi, Edon Ramadani.

Sopranot është format i KOHË-s dhe pas hapit të parë do të bëjë edhe shumë hapa të tjerë.

Arta Jashari - soprano

E lindur më 1988 në Prishtinë, në moshën 6 vjeçare, Arta Jashari nisi studimet për piano tek profesoresha Metka Lebar, te e cila kreu katër vjet në shkollën e muzikës “Fran Gerbiç“ në Cerknicë të Sllovenisë. Pas kthimit në Kosovë në vitin 1999, vazhdoi mësimet në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”- Drejtimi instrumental në piano te profesor Misbah Kaçamaku dhe solokëndimin te e ëma, profesoresha Elife Podvorica. Në vitin 2007, Jashari vazhdoi studimet në Akademinë e Muzikës në Prishtinë, në Drejtimin për solokëndim në klasën e Merita Junikut.

Puna e saj nisi të vlerësohet kur u bë fituese e dyfishtë e çmimit absolut në garat ndërkombëtare të muzikës “Ars Kosova” në Prishtinë, ndërsa në Tiranë zuri vendin e tretë në garat e këndimit “Jorgjia Truja”. Rrugëtimin muzikor e vazhdoi si anëtare e Korit Profesional të Filarmonisë së Kosovës në vitin 2008, në kuadër të të cilit ka kënduar disa herë si soliste me Orkestrën Simfonike. Një vit më vonë është bërë edhe anëtare e korit “Newborn” me dirigjent Ylber Asllanaj, me të cilin e fitoi vendin e tretë në garat ndërkombëtare “Summa Cum Laude” në Vjenë të Austrisë. Më 2011 fitoi bursën ndërkombëtare Basileus - Erasmus Mundus dhe vazhdoi studimet për një vit në Akademinë e Muzikës në Lubjanë të Sllovenisë në klasën e Pija Brodnikut.

Gjatë studimeve atje mori pjesë si soliste në koncerte të ndryshme të Akademisë, ndërsa në kuadër të festimeve të ndryshme është angazhuar me prezantime koncertale edhe nga Ambasada e Kosovës në Slloveni. Më 2012, Jashari është shpallur anëtare nderi e ansamblit shqiptar “Iliria” të Sllovenisë dhe më pas është ftuar të koncertojë në organizime të ndryshme kulturore gjatë qëndrimit në Slloveni.

Prej 2016-s është duke ndjekur studimet master në Universitetin e Arteve në Berlin.

Adelina Paloja - soprano

Nisi rrugëtimin e saj muzikor në piano, ku shkollimin e ulët dhe të mesëm të muzikës të muzikës i kreu në Prishtinë në shkollën "Prenk Jakova". Ndryshoi drejtim gjatë studimeve në Fakultetin e Arteve ku zgjodhi drejtimin e solokëndimit në klasën e mexosopranos Merita Juniku, për t’i vazhduar më pas studimet pasuniversitare në Universitetin e Shkupit në klasën e Maria Muratovska-Naumovska. Si studente pati një numër të paraqitjeve si soliste në koncerte dhe festivale të organizuara në Maqedoni.

Studimet i përfundoi me sukses të lartë me ç’rast iu dha titulli më i lartë “Cum Laude” për studentë të dalluar. Është shpërblyer dy herë me çmimin e parë në Garat Ndërkombëtare të Muzikës Klasike “Ars Kosova”. Në vitin 2009 nisi punën si anëtare e Korit të Filarmonisë së Kosovës me të cilin paraqitet rregullisht në koncertet e organizuara nga ky institucion. Është aktive si soliste në ngjarjet artistike në Kosovë dhe jashtë saj.

Nga gushti i 2014-s është zgjedhur anëtare e Këshillit Drejtues të Filarmonisë së Kosovës.

Ka performuar në festivale të ndryshme të muzikantëve profesionistë si: “Remusica” dhe “Ditët e Muzikës Kosovare” (Prishtinë), “Summa cum laude” (Vjenë), “Teho” (Tetovë) si dhe ka koncertuar në vende të ndryshme si në Suedi, Zvicër, Shqipëri, Gjermani, Maqedoni, Holandë e të tjera. Në shtator të 2015-s, krahas artistëve më të spikatur shqiptarë, ishte soliste në koncertin e madh të mbajtur në Katedralen e Prishtinës, që i parapriu Shenjtërimit të Nënë Terezës. Ka interpretuar në “La Traviata” (Violetta) nga G.Verdi, “La Wally” (Wally) nga A.Catalani, “Nji lule” nga R.Mulliqi, “Laudate Dominum” nga W.A.Mozart, “A Ceremony of Carols” nga B.Britten, “O salutaris” nga E.Esenvalds, “Kukuzeliana” & “Legjenda e varreve të hapura” nga R. Rudi, “Gloria” nga A. Vivaldi, “Requiem” nga W. A. Mozart, “Vespro della beata Virgine 1610” nga Claudio Monteverdi, “Johannes - Pasion BWV 245” nga J.S.Bach.

Marigona Qerkezi - soprano/flautiste

U lind në Zagreb, ku filloi edukimin muzikor për flaut. Për herë të parë u prezantu si soliste në moshën 6-vjeçare në Lubjanë dhe si 14-vjeçare ishte soliste në flaut 8 herë radhazi nën përcjelljen e orkestrës “JMJO” në Kroaci. Diplomoi për flaut, solokëndim dhe menaxhim biznesi. Qerkezi ka mbajtur koncerte duke shkelur skena të mëdha muzikore, si në Slloveni, Kroaci, Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Rusi, Itali, SHBA, Oman, Turqi, Holandë, Spanjë dhe Japoni. Për paraqitjet e saj mori disa shpërblime, ku së fundi mori çmimet e para në: Concorso per Cantanti Lirici d’Europa “AsLiCo“ në Itali (2015), Concorso Lirico Internazionale “Magda Olivero”, International Opera Competition “Leyla Gencer”, ku përveç Çmimit të parë fitoi edhe çmimin special “Accademia Teatro alla Scala Milano”.

Qerkezi në moshën 22-vjeçare debutoi në skenën operistike, në Operën Mbretërore në Muscat (Royal Opera House Muscat) me rolin e Mbretëreshës së Natës në operën “Flauti Magjik” të Mozartit, ku nga suksesi i jashtëzakonshëm u rikthye në po atë skenë më 2016. Qerkezi gjithashtu performoi në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë në rolin e Contessa d’Almaviva në operën “Le Nozze di Figaro” nga W.A.Mozart. Performoi rolin Marcellinas nga Le Nozze di Figaro në rrjetin prestigjioz të teatrove italiane: Teatro Sociale - Como, Teatro Grande - Brescia, Teatro Ponchielli - Cremona, Teatro Donizetti - Bergamo, Teatro Fraschini - Pavia, Teatro Valli Reggio Emilia, si dhe Teatro Regio di Parma.

Agjenda e Qerkezit për këtë vit përfshin: debutimin në Teatro Lirico di Cagliari në Itali me rolin kryesor (Lucia) në operën “Lucia di Lammermoor” të Donizettit; debutimin në Teatro Regio di Torino në Itali me rolin kryesor (Mbretëresha e Natës) në “Flauti Magjik” të Mozartit, si dhe debutimin në “Gran Teatre del Liceu” në Barcelonë në rolin e Madam Cortese në operën “Il Viaggio a Reims” të G. Rossinit.

Zana Abazi-Ramadani - soprano

U lind më 13 shtator 1983 në Mitrovicë. Shkollën e ulët të muzikës e kreu në vendlindje, në shkollën "Tefta Tashko", në seksionin e pianos. Gjithashtu edhe shkollën e mesme e kreu në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”, përveç vitit të dytë, të cilin e ndoqi dhe e mbaroi në Konservatoriumin e Étampes (Paris) në seksionin e pianos, në klasën e prof. Nicole Palmieri.

Në vitin 2002, organizata “Muzikantët pa kufij” (“Musicians Without Borders”) nga Holanda organizoi një koncert në Mitrovicë, ku ajo punoi dhe bashkinterpretoi në koncert me Otto de Jong - dirigjent (Holandë) dhe Anastasija Nizamova – mezosoprano (Maqedoni). Në vitin 2003 filloi studimet në Degën e Solokëndimit, në Fakultetin e Arteve (Prishtinë), që do të vazhdonin për katër vjet me radhë, në klasën e prof. Merita Junikut (mexosoprano). Në vitin 2004 filloi të punonte si mësimdhënëse në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, ku punon edhe aktualisht.

Ka marrë disa çmime në karrierën e saj, ndërkaq në vitin 2015 interpretoi me Orkestrën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë. Në korrik të po të njëjtit vit përfundoi studimet master në universitetin e Shkupit “Kiril & Metodij”, në Drejtimin e solokëndimit, në klasën e prof. mr. Maria Muratovska-Naumovska.

Së fundmi konkurroi edhe në audicionin e masterkursit “Il Bel Canto”, ku kishte fatin dhe nderin që të pranohej për të punuar me një ekip të profesorëve shumë të kërkuar aktualisht nëpër botë si: Ermonela Jaho (soprano), Elda Laro (pianiste/dirigjente), Paolo Andreoli (pianist) dhe Angelo Gabrielli (muzikant/menaxher i artistëve). Në janar të këtij viti performoi me rolin e Xhildës, në operën “Rigoletto”, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Me po të njëjtin rol, interpretoi në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, në festivalin “Mbrëmjet operistike të majit”.

Programi

VALTON BEQIRI
Në shpirtin e traditës
Ndikimi / loja
Patris Berisha, perkusione / percussions

PALOK KURTI - KRESHNIK ALIÇKAJ
Për mu paska ken kismet
Zana Abazi-Ramadani, soprano

WOLFGANG AMADEUS MOZART
“Come scoglio” nga opera “Cossi fan tutte”
Arta Jashari, soprano

AVNI MULA
Agimet shqiptare
Adelina Paloja, soprano

GIUSEPPE VERDI
“Caro nome” nga opera “Rigoletto”
Marigona Qerkezi, soprano

HEINRICH WILHELM ERNST
Fantaisie brillante Op.11
Elvin Hoxha - Ganiyev, violinë/ violin

LORENC ANTONI
Në Prizrenin e vjetër13

GIUSEPPE VERDI
“Folie! Folie!... Sempre libera” nga/from TRAVIATA
Adelina Paloja, soprano dhe Liridon Sadriu, tenor

KRISTO KONO - KRESHNIK ALIÇKAJ
Kroi i fshatit tonë
Arta Jashari, soprano

JOHANN STRAUSS
“Voice of the spring” nga “Frühlingsstimmen”
Zana Abazi-Ramadani, soprano

REXHO MULLIQI - KUSHTRIM GASHI
Baresha
Marigona Qerkezi, soprano

LEROY ANDERSON
Typewriter
Donjeta Krasniqi, makinë e shkrimit/typewriter

AVNI MULA
Valsi i lumturisë

GIUSEPPE VERDI
Brindisi
Adelina Paloja, Arta Jashari,
Marigona Qerkezi & Zana Abazi – Ramadani

Elvin Hoxha-Ganiyev

Violinisti me origjinë shqiptare, Elvin Hoxha Ganiyev, u lind më 02.11.1997. Elvini nisi studimet në violinë me gjyshin e tij, prof. Server Ganiyev, artist i popullit në Azerbajxhan, në degën e muzikës në universitetin “Bilkent” dhe atë që kur ishte vetëm 5 vjeç, ndërsa në moshën 8-vjeçare Elvini u pranua në programin “Studenti i ri” të Konservatorit tëCyrihut te prof. Zachar Bron.

Ai ka punuar me dirigjentë të njohur si Yuri Bashmet, Vladimir Spivakov, Gürer Aykal, Rauf Abdullayev, Vladimir Fedoseyev, Server Ganiyev, Sascha Goetzel, Rengim Gökmen, Murat Kodallı, Işın Metin, Naci Özgüç, Valery Vorona, Klaus Weise, Erol Erdinç, Ender Sakpınar, Nikolay Lalov, dhe David Bernard.

Ka pranuar mirënjohje të veçanta nga dirigjentë legjendarë si Lorin Maazel, Zubin Mehta dhe Gennady Rozhdestvensky, të cilët kanë dëgjuar interpretimet e tij duke e cilësuar artist virtuoz i së ardhmes.

Ai ka dhënë koncerte në shumë salla prominente rreth botës si Carnegie Hall në New York, Berlin Philarmonic Hall në Berlin, Kremlin Palace dhe Tchaikovsky Concert Hall në Moskë, Concertgebouw në Amsterdam dhe Zurich Tonhalle në Cyrih.

Ai, po ashtu, ka punuar me ansamble të dalluara, si Moscow Virtuosi, Shanghai Chamber Orchestra, Amsterdam Philarmonic Orchestra, Borusan Philarmonic, Azerbaijani Philarmonic, Qatar Philarmonic, Odessa Philarmonic Orchestra, Bilkent Chamber Orchestra, Tchaikovsky Symphony Orchestra, Russian Virtuosi, Bron Chamber Orchestra, Burgogne Lyric Orchestra, Presidential Symphony Orchestra, İstanbul State Symphony, Bursa State Symphony, Antalya State Symphony, Eskişehir State Symphony, İzmir State Symphony Orchestra dhe Bilkent Symphony.

Elvin Hoxha Ganiyev ka ndarë skenën me artistë të mëdhenj, si Ivri Gitlis, Vladimir Spivakov, Zakhar Bron, Vadim Repin, Server Ganiyev, Viktor Pikayzen, Güher-Süher Pekinel, Cihat Aşkın dhe Fazıl Say. Pasi u paraqit në koncertin përmbyllës në Festivalin Spivakov në Moskë në vitin 2013, ai performoi me Orkestrën Filarmonike të Azerbajxhanit në Festivalin e Muzikës në Kanë. Elvini ka interpretuar edhe me Filarmoninë e Berlinit dhe me Vladimir Azhkenazyn dhe Esther Yoon në festivalin prestigjioz “Interlaken Classics Festival” në Zvicër. Në vitin 2015, ai dha një koncert në Carnegie Hall i shoqëruar nga BMTG Chamber Orchestra. Në qershor të 2015-s bëri incizimin e tij debutues me LTG Young Soloists Chamber Orchestra në produksion të “Sony Music Production”.

Elvin Hoxha Ganiyev aktualisht është student në klasën e prof. Zakhar Bron at Kalaidos University Music Academy në Cyrih dhe në shkollën superiore “Reina Sofia” në Madrid të Spanjës.

Edon Ramadani - dirigjent

U lind në Mitrovicë (1983). Shkollimin e ulët muzikor e bëri në vendlindje në shkollën e muzikës "Tefta Tashko" në seksionin e kitarës.Edukimin e mesëm e përfundoi në Prishtinë në shkollën muzikore “Prenk Jakova”. U regjistrua në Fakultetin e Muzikës, dhe në vitin 2008 u diplomua në Drejtimin e Pedagogjisë së Përgjithshme Muzikore në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Diplomoi te prof. Bajar Berisha në lëndën e dirigjimit koral, duke drejtuar Korin e Fakultetit në koncert, me një program të larmishëm koral.

Në vitin 2006 filloi studimet në drejtimin e dirigjimit te prof. Tomislav Shopov dhe në vitin 2010 diplomoi edhe në këtë drejtim. Me rastin e koncertit të diplomimit në drejtimin e dirigjimit ka drejtuar “Requiem në d-mol K. 626” nga W.A.Mozart. Për dy vjet me radhë (2006-2008) punoi si asistent-dirigjenti i Korit të Filarmonisë së Kosovës. Ishte udhëheqës artistik dhe korist i ansamblit (oktetit) vokal “M-Note” nga Mitrovica.

Që nga viti 2004 punon si mësimdhënës në shkollën e mesme të muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Nga viti shkollor 2011-2012 gjithashtu filloi të punojë si mësimdhënës/dirigjent i orkestrës së shkollës së mesme të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova”. Nga viti 2008 punon si instruktor për tastierë dhe trajnues i bendeve në shkollën “Mitrovica Rock School” në Mitrovicë. Në vitin 2012 mori diplomën magjistër i artit muzikor, Drejtimi - Dirigjim Orkestral te prof. Saša Nikolovski Đumar në Universitetin e Shkupit.

Që nga viti 1996 ai ka performuar me shumë grupe dhe interpretues vokalë të zhanreve të ndryshme, duke përfshirë pop, rock, jazz e të tjera. Nga 2015 punon si ligjërues i lëndës së dirigjimit koral në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Muzikës, ku gjatë vitit 2015/2016 gjithashtu ishte edhe asistent i dirigjentit të orkestrës së fakultetit.

Baki Jashari - dirigjent

U lind në Prishtinë më 1960, ku edhe kreu shkollë e mesme të muzikës. Studimet e kompozimit i kreu më 1984 në Akademinë e Muzikës në Lubjanë, ndërsa më 1985 absolvoi në Degën e Muzikologjisë. Gjatë studimeve u angazhua edhe si dirigjent i disa koreve sllovene, me të cilat pati sukses jo vetëm në Slloveni, por edhe në Itali, Austri dhe Gjermani.

Gjatë viteve 1987-90 drejtoi Korin Profesional të Radiotelevizionit të Prishtinës, me të cilin koncertoi rregullisht në festivalet: Skena Muzikore e Prishtinës, Ditët e Muzikës Kosovare dhe në Tribunën e Krijimtarisë Muzikore të ishJugosllavisë në Opati të Kroacisë. Po ashtu, bëri incizimin e një numri të konsideruar të veprave të autorëve shqiptarë dhe atyre botërorë.

Në vitet 1990-2000 jetoi dhe veproi në Lubjanë të Sllovenisë si pedagog i lëndëve teorike dhe dirigjent i Orkestrës Harkore të Shkollës së Muzikës, me të cilën koncertoi në Trieste, Vjenë, Barcelonë, Chicago e të tjera. Dirigjoi edhe me dy orkestra frymore, me të cilat mori pjesë në gara shtetërore sllovene dhe ndërkombëtare. Në garat e orkestrave frymore në Vezsprem të Hungarisë fitoi vendin e parë në konkurrencë me 22 orkestra frymore evropiane. Me Orkestrën Harkore të Shkollës së Muzikës-Lubjanë dhe me Orkestrën Frymore-Cerknica (Slloveni) botoi 3 CD me vepra të autorëve sllovenë dhe atyre botërorë (1998-1999). Nga viti 2000 ligjëron lëndët Harmoni dhe Analizë Harmonike në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Në vitin 2002 dirigjoi disa koncerte me Orkestrën Filarmonike të Kosovës me solistët Pavel Vernikov - violinë, Florian Stubel - klarinetë dhe Kevin Kenner - piano.

Baki Jashari rregullisht dirigjon koncertet solemne të karakterit protokollar shtetëror me Korin dhe Orkestrën Simfonike të Filarmonisë së Kosovës. Në shtator të 2016-s dirigjoi edhe në koncertin historik me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan-Romë. Veprimtaria e tij si kompozitor përfshin disa kompozime korale, vokalo-instrumentale, orkestrale dhe simfonike. Veçohen “Passacaglia” për orkestër harkor, “Pakëz në ëndërr” për kor dhe recitues, “Lutje” për soprano dhe piano, "Simfonietta in due tempi" për orkestër simfonik e të tjera.

Nga viti 2006, Baki Jashari është drejtor i Filarmonisë së Kosovës.

Orkestra / Orchestra

Dirigjentë/Conductors:
Baki Jashari
Edon Ramadani

Violinë I /Violin I
Visar Kuçi
Festim Fanaj
Gëzim Latifi
Pranvera Govori
Arsim Mustafa
Mirka Hoxha

Violinë II / Violin II
Valbon Haxhibeqiri
Avni Thaqi
Erëza Devaja
Blerta Halimi
Shpend Ballata

Violë / Viola
Arianit Shehu
Lumnije Osmani
Yllza Ballata
Njomza Bislimi

Violonçel / Violoncello
Antonio Gashi
Adorel Haxhiaj
Nita Zeqiri

Kontrabas / Contrabass
Fraim Gashi
Shkodran Osmanaj

Flaut / Flute
Venera Mehmetagaj – Kajtazi
Enkelejda Zajmi – Gorani

Obo / Oboe
Albin Abazi

Klarinetë in C / Clarinet in C
Uran Bllaca

Klarinetë / Clarinet
Shkumbin Bajraktari
Astrit Mustafa

Fagot
Yllzim Bytyqi
Meriton Ferizi

Korno / Horn
Bledar Bujupi
Besmir Behluli
Fitim Halimi
Ardita Ibrahimi

Trumbetë / Trumpet
Avni Krasniqi
Ardit Pira

Trombon / Trombone
Betim Krasniqi
Fatbardh Dubovci
Rejhan Rexha

Perkusione / Percussions
Patris Berisha
Meriton Zajmi

Piano
Melos Buza

Organizuar në bashkëpunim me Institutin Columbus